***

Intervista/ Futbollisti kroat rrëfen historinë e tij të dashurisë më Moderatoren dhe këngëtaren Gerta Heta. Si u njohën dhe çfarë pëlqejnë më shumë tek njeri-tjetri.

 

Entela Resuli

Matko Damjati nuk ka bërë shumë gola gjatë karrierës së tij, por ndoshta ka bërë “golin” më të bukur të jetës që është njohja me këngëtaren dhe moderatoren televizive, Gerta Heta. Erdhi në Shqipëri, u martua dhe tani është duke pritur një fëmijë. Ardhja në këtë vend nuk i doli fort keq! Jo vetëm futbollistët shqiptarë janë martuar me vajza të huaja, por edhe futbollistët e huaj janë martuar me ato shqiptare. Shembulli konkret është Matko Damjati, kroati i vendosur prej viti 2009 në Shqipëri, tashmë jo vetëm që po vazhdon një karrierë futbollistike këtu, por edhe jetën familjare. Njohja e tyre ka qenë krejt rastësore, në një nga restorantet e Tiranës. Nuk ka qenë një dashuri me shikim të parë, por si do që të ketë qenë, ajo përfundoi në martesë. Tashmë, po jetojnë pritjen e ëmbël të një vajze që do të quhet Luna. Në këtë intervistë, Matko na tregon për historinë e tij të dashurisë me Gertën, njohjen e tyre dhe lumturinë që po jetojnë për faktin se së shpejti do të bëhen prindër.

Matko, kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?

Kam ardhur para 2 vjetësh, pasi fillova të luaj me skuadrën e Skënderbeut të Korçës. Kam luajtur atje 6 muajt e parë në Shqipëri.

Cila ishte përshtypja e parë që krijuat për këtë vend?

Impresionoi i parë ishte shumë i mirë, sepse ndalesa e parë ishte një aeroport modern dhe totalisht ndryshe nga gjithçka kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë. Njerëzit që më pritën ishin mjaft miqësorë. Mund të them se Shqiptarët janë njerëz miqësorë.

Përveç punës si futbollist, këtu gjetët edhe diçka tjetër, tashmë bashkëshorten tuaj. Na tregoni pak kur e keni parë Gertën për herë të parë?

Gertën ma prezantoi një mik i përbashkët në një bar të Tiranës.

Cili ishte reagimi juaj, ishte dashuri me shikim të parë?

Nuk ka qenë dashuri me shikim të parë. Pas takimit tonë të parë, mua më duhej të kthehesha në Korçë e nuk kishim këmbyer as numra telefoni.

Po hera e dytë, si ndodhi që u takuat?

U takuam krejt rastësisht në një restorant të Tiranës, ku ajo po drekonte me një shoqe e unë me një shok. Në atë kohë, unë isha kthyer të jetoja në Tiranë, pasi luaja me Kastriotin e Krujës.

Çfarë ju pëlqeu më shumë tek ajo?

Gjëja që i pëlqej më shumë e që gjithmonë kam kërkuar në një femër është tipi ambicioz. Gerta e ka këtë; është një femër e fortë dhe ambicioze.

Po ajo tek ju, jua ka thënë?

Gjithçka! Të paktën kështu thotë…

Cila është dhurata e parë që i keni bërë, ju kujtohet?

Një varëse me monedha antike kroate.

Po dhurata me e shtrenjtë?

Unë nuk besoj se çmimi i një dhurate e bën dikë të lumtur. Gertën e gëzon edhe një lule.

Ndërsa tani jeni në pritje për tu bërë baba, si po e prisni ardhjen e fëmijës suaj në jetë?

Jemi jashtë mase të lumtur e mezi po presim të shohim krijesën tonë.

Është vajzë, apo djalë?

Vajzë.

Ju gëzon ky fakt?

Shumë.

Po për emrin, keni menduar, cili do të jetë ai?

Luna.

Si është të kesh një bashkëshorte shqiptare, e kishit menduar ndonjëherë?

Jo nuk e kisha menduar fare, por jeta për këtë është e bukur; për surprizat që të ofron dhe kjo bashkëshorte shqiptare ishte një surprizë e bukur.

Do të jetoni në Shqipëri?

Deri tani kështu shpresojmë, por lloji i punës sime është i tillë që mund të ndërroj destinacion në ndjekje të ekipit të radhës.

Si shkon karriera futbollistike?

Po luaj me Besën e Kavajës. Shpresojmë të qëndrojmë në kategorinë Superiore, pasi është një skuadër e përbërë nga futbollistë me eksperiencë.

Çfarë nuk ju pëlqen në Shqipëri?

Trafiku kaotik dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga disa shoferë dhe plehrat që i sheh kudo.

Nga ana tjetër, çfarë ju pëlqen më shumë në këtë vend?

Njerëzit miqësorë, ushqimin e mirë dhe klimën.

Kush është Matko Damjati

 

Matko Djarmati i lindur në shkurt të vitit 1982 (29 vjeç), karrierën e tij prej futbollisti e ka filluar në vitin 2001 në klubin NP “Rijeka” të Kroacisë, për të vazhduar kështu pesë vite me radhë nëpër disa klube kroate deri në vitin 2006 ku merr një ofertë nga klubi grek AS “Lamia” Gamma Ethiki, për një vit. Nga viti 2009, Matko Djarmati vazhdon të jetë pjesë e klubeve shqiptare, në fillim tek “Skënderbeu” në Korç, kurse tani tek “Besa” e Kavajës.

Advertisements